Politika e Numrave dhe e Verifikimit të Identitetit
Kjo politikë tregon si jepen numrat e telefonit të NEOFONE AI, cilat dokumente na duhen, dhe çfarë mund të bëni me një numër.
1. Nga vijnë numrat
1.1 Numrat shqiptarë i përkasin planit kombëtar të numeracionit që administron AKEP. Ata na janë dhënë për t'u përdorur nga klientët tanë.
1.2 Numrat e vendeve të tjera furnizohen nga operatorë të autorizuar në ato vende, të cilët e lejojnë Neofone Shpk t'ua ofrojë ata klientëve të saj. Një numër i tillë mbetet nën ligjin dhe rregullat e numeracionit të vendit të vet dhe nën kushtet e operatorit furnizues.
1.3 Ju merrni të drejtën për ta përdorur një numër, jo vetë numrin (pika 5 e Kushteve të Shërbimit).
2. Pse pyesim kush jeni
Ligji e detyron ofruesin ta identifikojë dhe ta regjistrojë përdoruesin e një numri para se shërbimi të aktivizohet (neni 155 i ligjit nr. 54/2024), dhe shumica e vendeve të tjera kanë të njëjtin rregull për numrat e tyre. Prandaj për shumë numra duhet të dimë kush e përdor numrin dhe ku.
3. Çfarë mund të kërkojmë
Çfarë nevojitet varet nga vendi dhe lloji i numrit. Dyqani e tregon për çdo numër para se të porosisni. Mund të jetë:
- kartë identiteti ose pasaportë e një personi, ose e personit që përfaqëson një shoqëri;
- regjistrimi i shoqërisë (për Shqipërinë, ekstrakt i Qendrës Kombëtare të Biznesit);
- vërtetim i një adrese, ndonjëherë i një adrese në zonën e një numri lokal;
- një përshkrim i shkurtër se për çfarë do të përdoret numri.
Të dhënat dhe dokumentet duhet të jenë ato të personit ose shoqërisë që do ta përdorë vërtet numrin (përdoruesi fundor). Nëse ai është klienti juaj, dokumentet janë të atij klienti.
4. Si bëhet kontrolli
4.1 Ju i ngarkoni dokumentet me porosinë tuaj. Numri mbahet për ju për 7 ditë ndërsa porosia është e hapur.
4.2 Ne i kontrollojmë dokumentet dhe mund t'ia kalojmë operatorit furnizues ose rregullatorit të atij vendi kur rregullat e tij e kërkojnë.
4.3 Numri fillon të punojë vetëm pasi dokumentet të jenë konfirmuar. Nëse nuk pranohen, ju tregojmë pse; mund të dërgoni dokumente më të mira, ose porosia për atë numër mbyllet dhe ajo që keni paguar për të kthehet e plotë.
4.4 Na njoftoni brenda 15 ditëve kur të dhënat ndryshojnë. Ne mund t'i kërkojmë përsëri herë pas here. Një numër, dokumentet e të cilit dalin të rreme, të vjetruara ose jo të përdoruesit të tij të vërtetë, mund të çaktivizohet.
5. Përdorimi i një numri
- Përdoreni një numër vetëm për qëllimin dhe në mënyrën e lejuar për llojin e tij në vendin e tij.
- Një numër lokal mund të duhet të përdoret nga dikush me adresë në zonën e tij.
- Mos e përdorni një numër për shërbime me tarifë të shtuar, call-back ose me karta thirrjesh, përveç kur kemi rënë dakord me shkrim.
- Numri i kanaleve cakton sa thirrje merr një numër në të njëjtën kohë; thirrjet e tjera marrin sinjalin e zënë.
6. Mbajtja dhe humbja e një numri
6.1 Numrin e përdorni për periudhën e paguar dhe për çdo periudhë që rinovoni. Një numër mund të ketë një angazhim minimal dhe një afat njoftimi për anulim; dyqani i tregon të dyja para se të porosisni. Numrin e anuloni në portalin tuaj. Pika 7 e Kushteve të Shërbimit tregon kur mbaron një numër i anuluar, çfarë mbetet detyrim deri atëherë, dhe çfarë ndodh kur një numër nuk rinovohet.
6.2 Një rregullator ose operatori furnizues mund t'i ndryshojë rregullat për një numër, të kërkojë dokumente të reja ose ta tërheqë numrin. Ne ju përcjellim njoftimin që marrim, ju ndihmojmë të përshtateni, dhe kur një numër humbet pa fajin tuaj ju ofrojmë një tjetër ose ju kthejmë atë që keni paguar për kohën e papërdorur.
7. Bartja e numrit
7.1 Numrat shqiptarë: ju mund ta kaloni numrin tuaj te një ofrues tjetër dhe të sillni një numër te ne. Bartja është pa pagesë për ju dhe kryhet brenda një dite pune pasi kërkesa të jetë e plotë (neni 145 i ligjit nr. 54/2024). E drejta vlen edhe një muaj pas përfundimit të kontratës.
7.2 Numrat e vendeve të tjera mund të barten aty ku rregullat e atij vendi dhe operatori furnizues e lejojnë. Na pyesni; ju tregojmë çfarë është e mundur dhe çfarë nevojitet.
8. Të dhënat tuaja dhe autoritetet
Ne i mbajmë të dhënat e identitetit të përdoruesit të një numri dy vjet pasi llogaria të mbyllet, dhe ia japim operatorit furnizues, rregullatorëve dhe autoriteteve vetëm aty ku ligji na detyron (shih Politikën e Privatësisë). Numrat tuaj nuk publikohen në numëratorë publikë, përveç kur e kërkoni ju.
9. Thirrjet e emergjencës
Një numër i yni nuk e zëvendëson një linjë fikse ose celulare për thirrjet e emergjencës. Lexoni Njoftimin për Thirrjet e Emergjencës.